Në epokën e “post-truth”, nuk është më e vërteta ajo që sundon botën, por aftësia për ta përgënjeshtruar atë. Thënia “Know nothing, suspect everything” nuk është një paradoks por është ndoshta përkufizimi më i saktë i njeriut bashkëkohor: i mbingarkuar me informacion, por i pangopur me kuptim; i rrethuar nga fakte, por i pushtuar nga dyshimi.
- Nga dija tek iluzioni i dijes
Në shekujt e kaluar, dija ishte rruga drejt emancipimit. Të dish do të thoshte të jesh i lirë, të kesh mundësinë të ndërtosh një gjykim autonom mbi realitetin. Sot, dija nuk na çliron më por na huton. Jo sepse është e rreme, por sepse është e pafundme. Kur çdo burim është i dyshimtë dhe çdo version konkurron me një tjetër, njeriu i lodhur nga kompleksiteti zgjedh rrugën më të lehtë: të mos besojë asgjë. Kështu, mosbesim, dikur një akt emancipimi, është shndërruar në formë dorëzimi.
- Nga mendimi kritik te kultura e cinizmit
Në shoqëritë moderne, dyshimi ka humbur funksionin e vet krijues. Nuk përdoret më për të çliruar mendimin, por për ta paralizuar atë. Cinizmi është bërë shenjë inteligjence. “Mos beso askënd” tingëllon si devizë emancipimi, por në të vërtetë është simptoma e një truri të lodhur nga përpjekja për të kuptuar. Kjo është kultura e skepticizmit të pafund: një realitet ku çdo e vërtetë rrëzohet jo përmes argumentit, por përmes ironisë, sarkazmës, apo thjesht me një meme.
Në këtë atmosferë, e vërteta nuk përgënjeshtrohet më me fakte – por me ton.
- Mekanizmi politik i mosbesimit
Në planin politik, kjo krizë e besimit prodhon paradoksin më të rrezikshëm: një shoqëri që nuk i beson më askujt, është shumë më e lehtë për t’u manipuluar.
Kur qytetari nuk di kujt t’i referohet për të kuptuar realitetin, ai kërkon figura që duken të “sinqerta” e që flasin “troç”, jo institucione që janë të besueshme. Kështu lind populizmi si pasojë natyrore e epokës post-truth: udhëheqës që nuk premtojnë më zgjidhje, por ndjesi; që nuk argumentojnë, por ngjallin emocione të menjëhershme. Në një klimë të tillë, faktet humbasin peshë, ndërsa pasiguria bëhet armë politike.
- Shoqëria e versioneve
Mund të thuhet me siguri tashmë (në qoftë se na lejohet të përdoret fjala “siguri”në këtë ese), që sot jetojmë në një shoqëri versionesh, jo faktesh.
Në këtë realitet, çdo ngjarje mund të ketë dhjetëra rrëfime paralele dhe asnjëri prej tyre s’është përfundimtar.
Ky relativizim i pafund e kthen publikun në spektator pasiv: jo sepse i mungojnë mjetet për të ditur, por sepse nuk di më si t’i përdorë.
Rezultati është një vetmi epistemike: secili beson vetëm atë që konfirmon ndjenjat e veta, jo atë që përputhet me realitetin.
Dhe kështu, e vërteta bëhet çështje emocionale dhe jo njohëse.
- Pas dyshimit mbetet boshllëku
Kur gjithçka është e dyshimtë, asgjë nuk është më e vlefshme.
Mosbesimi total nuk e mbron individin nga manipulimi – përkundrazi, e çarmatos.
Sepse për të mbrojtur veten, duhet të kesh diçka në të cilën beson: një parim, një ideal, një kuptim.
Një shoqëri që “nuk di asgjë dhe dyshon për gjithçka” e humbet këtë busull. Dhe pa busull, çdo pushtet e gjen rrugën drejt nesh.
- Nga mosbesimi tek përgjegjësia
Kthimi te e vërteta nuk kërkon rikthim në naivitet. Nuk kemi nevojë të besojmë gjithçka që na thuhet, por të mësojmë të jetojmë me përpjekjen për të kuptuar. Në këtë përpjekje qëndron etika e dijes: jo në posedimin e së vërtetës, por në mbrojtjen e mundësisë për ta kërkuar atë. Nëse e humbim këtë përpjekje, mbetemi në gjendjen që përshkruan fraza: “Know nothing, suspect everything”, një botë që nuk udhëhiqet më nga e vërteta, por nga frika prej saj.
Në fund, ndoshta nuk jemi aq “të zgjuar” sa mendojmë kur dyshojmë në gjithçka. Ndoshta thjesht jemi të lodhur. Dhe është pikërisht kjo lodhje që e ka zëvendësuar mendimin me dyshim dhe dijen me zhurmë.