Një vend pa rini është një vend pa të ardhme, një vend pa guxim, një vend pa fuqi transformuese. Qeveria e dështuar dhe e korruptuar e Edi Ramës kështu e do Shqipërinë, pa rini, pa guxim, pa të ardhme, sepse vetëm kështu mund të mbrojnë interesat e një pakice, që nuk ka lidhje me nevojat dhe shpresat e rinisë. Prandaj Edi Rama është përgjegjës për largimin e të rinjve shqiptarë!
Një vend ku kostot e jetesës janë të papërballueshme, forca blerëse e ulët dhe pagat larg mundësive për të ndërtuar një jetë me dinjitet, nuk është një vend për rininë.
Secili prej nesh e njeh mirë dramën e shpopullimit, nuk ka familje pa një vajzë apo djalë, që nuk ka ikur apo nuk po presin rastin e parë për të ikur nga varfëria që ka pllakosur vendin për shkak të qeverisë Rama.
Prej vitesh këmbanat e alarmit kanë rënë, por qeveria nuk dëgjon, nuk shikon, nuk e ndjen këtë plagë të madhe. Kjo do të marrë fund. Qeveria e re:
- Do të krijojë, Fondin me Prioritet për Punësimin e të rinjve në sektorin e teknologjisë, si prioritete ekonomike të vendit, me synim për të rritur sipërmarrjet në fushën e teknologjisë të drejtuara nga të rinjtë.
- Do të hartojë, nisma për ta kthyer Shqipërinë në qendër të investimeve të IT-së, ku kompanitë dhe individët me mbështetjen e qeverisë, do të aftësohen që të konkurojnë në ofrimin e shërbimeve të IT-së dhe programimit në tregun e BE-së.
- Do të krijojë, grante financiare për stimulimin dhe mbështetjen e bizneseve familjare të zotëruara nga të rinjtë, që kanë në fokus zonat ku mungon përparësia ekonomike.
Me ne, qeveria e ardhshme do të financojë çdo vit, deri në 10.000 (dhjetë mijë), praktika të paguara për studentët ekselentë në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë të reja.
Nxitja dhe krijimi i ndërmarrjeve sociale nga të rinjtë duke shfrytëzuar pronat e konfiskuara të krimit nga ligji anti-mafia.
Ne, do të heqim 1000 (një mijë) euro të barrës fiskale për çdo punonjës të ri deri në 30 vjeç që ka një kontratë 3 vjecare.
Do të ulim taksën e fitimit për 3 vitet e para të veprimtarisë të të gjithë investitorëve në fushën e IT-së, Mekanik dhe Elektronik, të cilët punësojnë të rinj deri në 30 vjeç.
Do të bëjmë subvencionim të pagës së plotë ose të pjesshme që marrin jashtë vendit, për 1 (një) vit, për çdo profesionist të ri ekselent nëse vendos të Ri-kthehet në Shqipëri.
RINIA MERITON MË SHUMË!
Ne e kemi gati projektin më të madh dhe transformues, i cili do të ndryshojë totalisht ekonominë shqiptare duke çelur një horizont të ri për të rinjtë tanë.
Në bashkëpunim me Universitetet:
- Ne, do të ndërtojmë 4 qendra Rajonale të Inovacionit, më të mëdhatë në Ballkan: në Tiranë, në Shqipërinë e mesme, në Jug dhe në Veri;
- Ne, do të përgatisim 25.000 profesionistë të rinj në profesionet e teknologjisë që kanë një pagë mesatare prej 2000 Euro në muaj;
- Ne, do të mbështesim zhvillimin e Ekonomisë Digjitale, do ta kthejmë Shqipërinë në një qendër të investimeve në Teknologji, ku kompanitë dhe individët me mbështetjen e qeverisë, do të aftësohen që të konkurojnë në tregun global.
Vizioni ynë për Gjeneratën e Re përbëhet nga këto projekte kyçe, me fokus zhvillimin e Inteligjencës Artificiale:
Së pari, ne do të krijojmë fondin “NEXT GEN” për të subvencionuar pagën e plotë ose të pjesshme, të çdo profesionisti të ri që vendos të kthehet në Shqipëri. Ky fond do të mbulojë pagën e tyre për një vit, duke i dhënë mundësi profesionistëve të kualifikuar dhe me eksperiencë jashtë vendit, të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë.
Së dyti, do të ngrejmë “Fondin e Inovacionit”, të dedikuar për sektorin e Inteligjencës Artificiale.
Së treti, do të themelojmë “Cybersecurity Innovation Hub”. Kjo qendër inovacioni do të përfshijë universitete, sipërmarrje të reja, profesionistë të lirë dhe të rinj të moshave të ndryshme, në një mjedis ku kërkimi shkencor, zhvillimi dhe inovacioni në fushën e sigurisë kibernetike mund të përparojë.
Arsimi Parauniversitar dhe ai Profesional
Arsimi Parauniversitar dhe ai Profesional, sot është në ditët më të këqija. Shkolla të rrënuara, pa kushte të përshtashme. Mësuesit janë të pamotivuar dhe pa një status të merituar për rolin e tyre udhëheqës në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, që do të jenë e ardhmja e shoqërisë dhe kombit tonë.
Pothuajse 50% e shkollave në Shqipëri nuk kanë ujë të pijshëm dhe rreth 70% e shkollave nuk kanë kushte të përshtatshme higjenike. (Raporti i UNESCO-s).
Raportet tregojnë se 41% e nxënësve shqiptarë janë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike, ndërsa 22% e tyre ndihen të kërcënuar nga mësuesit (raporti i UNESCO-s).
Ne, kemi një vizion të qartë në shndërrimin e shkollave si institucione arsimore për nxitjen e mendimit krijues dhe kritik, qendra edukimi që ndihmojnë në ZHVILLIMIN E AFTËSIVE DHE TALENTEVE INDIVIDUALE dhe vatra të mirëqënies dhe sigurisë së nxënësve.
Programi ynë ofron:
- DYFISHIMIN E BUXHETIT PËR ARSIMIN nga 3.5-3.7% të PBB-së vetëm për arsimin parauniversitar;
- Rritje 60% të pagave të mësuesve duke sjellë më shumë të ardhura e mirëqënie për 30 mijë familje të mësuesve.
Risia për gjithë arsimin parauniversitar dhe për prindërit, do të jetë shkolla gjatë gjithë ditës me drekë të garantuar për të gjithë nxënësit.
Në këtë koncept shkolla do të qëndrojë e hapur prej orës 8.00-16.00. Pas orarit të mësimit, nxënësve do t’u ofrohet mundësia për përvetësimin e dijeve, mësimin e gjuhëve të huaja dhe të aftësimin në TIK si dhe veprimtari kulturore dhe artistike. Për këtë qëllim do të angazhohen dhe punësohen 7500 specialistë të fushave të mësipërme.
Ne do të sigurojmë:
- Transport të dedikuar e të standardizuar me parametra bashkëkohore, për çdo mësues e nxënës, në arsimin parauniversitar që banon mbi 3 km larg shkollës.
- Tekste të reja, falas, në arsimin e detyruar (klasat 1-9), çanta dhe mjete didaktike për fëmijët në vështirësi ekonomike.
- Kurrikula të përmirësuara, në përshtatje të plotë me zhvillimin dhe nevojat e nxënësve si dhe kërkesave të shoqërisë.
Universitetet
Gjatë qeverisjes së tij, i vetmi kontribut që ka dhënë Edi Rama është shndërrimi i Shqipërisë në vendin e parë në botë të eksportuesit të qytetarëve të tij. Kushdo e ka të qartë se me këtë model qeverisës, ky vend nuk ka kurrfarë perspektive, ndaj zgjedhin të largohen.
Kostoja e jetesës është shumë e lartë, ndërsa pagat shumë të ulëta. Nënat qajnë për fëmijët që largohen përditë nga vendi, ndërsa Edi Rama mburret me projekte 3D në rrjetet sociale. Varfëria rritet përditë dhe të gjitha këto probleme, kanë një emër të përbashkët: Edi Ramën dhe qeverisjen e tij të dështuar.
Ndaj program ynë do të bëjë të mundur që:
- Në ditët e para të Qeverisë së saj, të nisë punën për rikonceptimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, në bashkëpunim me botën akademike, ekspertët më të mirë dhe studentët shqiptarë;
- Të bëjmë transparencë të plotë në procesin e akreditimit nga agjencitë ndërkombëtare të rankimit të universitete dhe të programeve të studimit;
- Të bejmë regjistrimin e pronave të universiteteve dhe kalimin në pronësi të tyre, duke garantuar me ligj vetadministrimin e këtyre pronave;
- Të krijojmë Bibliotekën Ndër-universitare Kombëtare Online;
- Të rrisim rolin e studentëve në zgjedhjet universitare, vlera e votës së të cilëve shkon deri në 30%;
- Të dyfishojmë buxhetin për Arsimin e Lartë;
- Të ndërtojmë brenda mandatit të parë 3 kampuse universitare: në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër;
- Të financojmë praktikën njëvjeçare pas studimeve për 10 mijë studentë, duke garantuar kështu lidhjen e tyre me tregun;
- Të financojmë bursa për studentët dhe doktorantët ekselentë në 15 universitetet më të mira në botë, si dhe promovimin e programit për thithjen e trurit, larg nepotizmit dhe ndërhyrjes politike, por bazuar në meritokraci. “From: brain drain, to brain gain”.
- Të shpallim programet universitare të mësuesisë si “Prioritet kombëtar”, duke nxitur të rinjtë të studiojnë në këtë fushë me rëndësi për ardhmërinë e vendit, përmes politikave mbështetëse të arsimimit, punësimit, dhe sigurisë financiare;
- Të japim autonomi të tillë universitete shqiptare, që përmes parimit meritë-preferencë, të kenë mundësi të bëjnë vetë përzgjedhjen e studentëve të tyre.
- Të depolitizojmë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe përmirësimin e kuadrit ligjor të organizimit dhe funksionimit të saj;
- Të krijojmë Fondin Shqiptar për Shkencë, Inovacion dhe Zhvillim, ku të konkurrojnë të gjithë IAL (Institucionet e Arsimit të Lartë) publike dhe jo vetëm, institutet kërkimore, hulumtues shkencorë, bazuar në meritokraci;
- Të ngrejmë Universitetin e Diasporës: përmes krijimit të një databaze të kërkuesve shkencorë, doktorë shkencash dhe profesorë shqiptarë, për të kontribuar në edukimin dhe aftësimin universitar në Shqipëri, në bashkëpunim me universitetet publike, përmes një fondi të dedikuar për financimin e aktiviteteve.
4. FAMILJA DHE GRUAJA: POLITIKAT SOCIALE SI PENSIONET, NDIHMA SOCIALE, PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR (PAK)
Në një kohë kur qeveria e Edi Ramës është e zhytur në skandale dhe është mbytur nga zullumet, ne jemi forca e parë politike që ka gati një program për familjet shqiptare dhe një plan konkret për daljen nga kriza. Ne e dimë që Shqipëria po shkon përditë dhe më shumë në drejtimin e gabuar! Familjet shqiptare po përjetojnë ditët më të vështira mes varfërisë që rritet, emigracionit që e gërryen dhe pasigurisë për të ardhmen e rinisë!
Në qeverisjen e re, ne do të garantojmë:
- 5 milion euro do të jetë granti per ngritjen e 1000 bizneseve të reja vetëm për gratë sipërmarrëse;
- Personat me aftësi të kufizuar do të jenë pjesë reale e vendimarrjeve tona qeverisëse si dhe do t’iu subvencionohen shërbimet sipas nevojave të tyre;
- Pagesa për personat me aftësi të kufizuar do jetë 70% e pagës minimale;
- Ndryshimin e statusit të jetimit, duke zgjeruar numrin e përfituesve, përfshirë edhe ata që nuk kanë njërin prind.
Emigracioni, pasiguria për të krijuar familje të reja, ulja e lindshmërisë dhe kostot e larta të strehimit, i pamundësojnë familjeve të reja të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre.
Prandaj ne:
- Do të subvencionojmë interesin e plotë të kredisë për strehim për 30 000 (tridhjetë mijë) çifte të reja;
- Do të mundësojmë pagë të plotë për periudhën e lejes së lindjes për nënat në marrëdhënie pune;
- Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike;
- Do të mundësojmë orientimin e vajzave dhe grave për të ndjekur studime apo kryer kurse profesionale, në fushat e lidhura me teknologjinë e informacionit, nëpërmjet programit “Gratë në digjitalizim”;
- Do të rrisim pagat dhe do të mundësojmë taksim të diferencuar dhe mbështetje të arsimit profesional, për të përmirësuar ekuilibrin gjinor në profesionet, të cilat janë mbizotëruar tradicionalisht nga burrat;
- Do të ofrojmë mbështetje financiare për gra dhe vajza që kontribuojnë në industrinë e artizanatit.
Familja
Sot në Shqipëri ekzistojnë dy botë: bota e Ramës, që jeton në spektaklin që krijon vetë dhe në realitetin që shpik vetë; dhe bota e familjeve shqiptare, që përjeton çdo ditë uljen e mirëqenies, shtrenjtimin e jetesës dhe braktisjen nga qeveria.
Ne jemi e vetmja forcë politike, në fund të kësaj klase politike të vjetër 35-vjeçare, që ka një plan që prek në zemër hallet e familjeve shqiptare.
Për ne, një shtyllë solide e programit tonë qeverisës është çështja e familjes, e fëmijëve dhe e pensionistëve shqiptarë.
Për familjet e reja, që janë qeliza dhe garancia e vetme jo thjesht e vijimësisë së familjes, por edhe e vijimësisë sonë kombëtare:
- Do të ketë një ndihmë prej 2 milion lekësh për fëmijën e parë dhe për fëmijën e dytë
- Për fëmijën e tretë, kjo shifër do të dhjetëfishohet, duke arritur në 20 milion lekë;
- Kjo mbështetje ofrohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të jetë pika e kthesës në përtëritjen tonë kombëtare;
- Pensionet do të rriten të paktën 5% në vit;
- Pensionet do të indeksohen me dyfishin e vlerës së inflacionit çdo vit;
- Për pensionet e ulëta – ato të bukës së gojës dhe ilaçeve – do të ketë një bonus të përhershëm, periodik prej 250 mijë lekësh;
- Skema e pensioneve do të forcohet, duke rritur deklarimet e sakta të pagave dhe numrin e të punësuarve.
Gruaja është prioriti ynë!
Që gruaja shqiptare të rimarrë rolin që i takon në shoqëri, për të qenë e pavarur, për të marrë dinjitetin dhe fuqizimin e saj ekonomik, kjo mund të arrihet nëpërmjet mirëarsimimit. Programi ynë qeverisës angazhohet që:
- Asnjë vajzë të mos ndërpresë shkollën për shkak të pamundësive ekonomike;
- Të japim bursa studimi për vajzat që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe nga zonat rurale;
- Të japim mbështetje financiare për gra dhe vajza që merren me punë artizanale dhe që punojnë në sektorin e bujqësisë;
- Të japim kurse falas për gratë e vajzat shtëpiake që të marrin një profesion;
- Të shtojmë burimet financiare në funksion të programeve për mbrojtjen e shëndetit të gruas;
- Të dyfishojmë ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare, viktima të dhunës;
- Të japim bursa studimi falas për të gjithë fëmijët e nënave kryefamiljare, viktima të dhunës në familje;
- Të japim strehim të paguar nga shteti për të gjitha gratë, të cilat kanë marrë urdhër mbrojtjeje nga gjykatat.
5.SHËNDETËSIA
Premtoi një shëndetësi falas, por në fakt shtrenjtoi gjithçka dhe ndërtoi një piramidë korruptive në të gjithë sistemin shëndetësor: ky është Edi Rama dhe koncepti i tij për shëndetësinë.
Sistemi shëndetësor sot gjendet në një situatë të vështirë, i keqmenaxhuar nga një administratë joefektive, e drejtuar nga persona që spitalet apo qendrat shëndetësore i kanë parë vetëm si pacientë ose vizitorë.
Programi ynë “Shqipëria meriton më shumë” ofron:
- Ristrukturimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale – sistemi shëndetësor do të jetë në duar të specialistëve;
- Mbrojtja sociale do të bëhet një institucion më vete;
- Rishikim i rolit të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
- Rritja dhe forcimi i autonomisë financiare dhe menaxheriale të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm Shëndetësor;
- Ristrukturimi i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) sipas modelit ECDC (Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve);
- Investim në burime njerëzore, infrastrukturë, pajisje dhe laboratore sipas standardeve evropiane;
- Rritja të kapaciteteve dhe rezervave për përballimin e situatave epidemike (afatgjatë);
- Forcim të programeve të promocionit shëndetësor;
- Krijim të regjistrit kombëtar të sëmundjeve jo të transmetueshme.
Financimi i sistemit shëndetësor
Sot, sistemi shëndetësor shqiptar është më i keqfinancuari në rajon, ku askush nuk paguan sa shqiptarët për shëndetin. Shqiptarët paguajnë më shumë sesa të gjithë qytetarët e rajonit tonë, katër herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së, dhe ndërkohë marrin shërbimin më të keq.
Politikat e ndjekura në farmaceutikë sollën largimin e përfaqësive farmaceutike dhe kompanive prestigjioze, duke hapur rrugën e barnave me origjinë të pasigurtë dhe cilësi të ulët, si dhe uljen e numrit të alternativave.
Ndaj, ne angazhohemi të rikonceptojmë skemën e sigurimeve shëndetësore dhe modelin e financimit, si dhe të reformojmë sektorin farmaceutik, si më poshtë:
- Forcim të skemës së sigurimeve shëndetësore. Kalimi nga një pagues i vetëm në disa pagues;
- Rritje të buxhetit për shëndetësinë, me 50% fondin e rimbursimit dhe fondin e pagave: motivim të personelit që punon me dinjitet, si dhe uljen e numrit të mjekëve që largohen nga vendi;
- Anullim të PPP-ve të panevojshme që zhvasin 53 milion euro përmes katër koncesioneve;
- Zbatim të parimit “paraja do të ndjekë pacientin” – Çdo shqiptar do të ketë në dorë kartën e sigurimit shëndetësor, përmes të cilës mund të shkojë të vizitohet ku të dojë, në shërbim publik apo privat, dhe nuk do të ketë nevojë të paguajë nga xhepi;
- Krijimi i Agjensisë Kombëtare të Llogarive Shëndetësore, si mekanizëm kontrolli për çdo shpenzim, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat;
- Investim në teknologjinë digjitale – në mbështetje të mënyrës së re të jetesës dhe realitetit të punës në sistemin shëndetësor. Kartela elektronike, si mundësi për pacientin që të vizitohet ku të dëshirojë dhe të mbartë me vete, historikun e tij shëndetësor;
- Përmirësim të paketës bazë të sigurimeve shëndetësore – rimbursim bazuar në diagnozë;
- Luftë ndaj barnave jo cilësore, luftë mafies së barnave, bllokim i barnave nga vendi i origjinës jo të sigurtë.
Shqiptarët nuk do të paguajnë më ‘qimet e kokës’, për barna që nuk i kurojnë.
Kujdesi spitalor
Infrastruktura e shërbimit shëndetësor në Spitalet Bashkiake, Rajonale dhe ato Universitare si QSUT dhe Spitali i Traumës, gjenden në një situatë mjaft të vështirë funksionale për të ofruar shërbim mjekësor dinjitoz.
Koalicioni Euroatlantik ka si qëllim dhe detyrim rivitalizimin e sistemit shëndetësor që popullata të marrë shërbim me standard mjekësor dinjitoz.
- Rikonceptim i menaxhimit spitalor, sipas modelit “spitali ndërmarrje” me autonomi të menaxhimit financiar dhe burimeve njerëzore;
- Financim i spitaleve, bazuar në performancë (DRG), që motivon cilësinë e shërbimit;
- Shërbim urgjence paraspitalore dhe spitalore, sipas standardeve më të mira evropiane, duke ofruar shërbim, ndërhyrje mjekësore reale që në vendngjarje, gjatë transportit dhe deri në pranim të sëmurit në urgjencën spitalore.
- Rritje me 50% të pagave të mjekëve, farmacistëve, infermierëve dhe teknicienëve mjeksorë brenda mandatit të parë qeverisës;
- Rritje dy herë e kuotave të pranimit të mjekëve në Fakultetin e Mjekësisë, dhe në specializime;
- Krijimin e Institutit të Onkologjisë si entitet i pavarur.
Kujdesi shëndetësor parësor
Mjekët e familjes dhe infermierët, janë kthyer në argatë të kompanisë së check-up, madje atyre iu vendosin gjobë nëse nuk plotësojnë planin.
Personeli është i keqpaguar, sepse qeveria socialiste lekët e pagave dhe shpërblimeve ia jep koncesioneve korruptive të miqve të saj.
Në këto kushte programi ynë ka si qëllim:
- Qendra shëndetësore të vetmenaxhuara;
- Forcim të kujdesit shëndetësor parësor bazuar në parimin: vendosim në qendër pacientin jo sëmundjen;
- Rritja të pagave me 50%. Mjekët dhe infermierët shqiptarë do të kenë pagat më të larta në Ballkanin Perëndimor;
- Heqjen e punës së detyruar 3 vjeçare të mjekëve të rinj, duke krijuar kushte pune miqësore dhe motivuese