Mbreti është lakuriq!!!

Mbreti është lakuriq!!!

Por nuk është ky më lajmi. Nuk jetojmë më në kohën kur problemi ishte se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Sot, e vërteta qarkullon. Është aty dhe kudo. Është e dukshme në dritë të diellit. Dhe megjithatë, asgjë nuk ndryshon. Sepse problemi nuk është më mungesa e zërit. Problemi është mungesa e angazhimit ndaj asaj që dihet, kuptohet dhe flitet. Ne nuk kemi më një mbret lakuriq përballë një turme të frikësuar. Kemi një turmë që e sheh lakuriqësinë dhe zgjedh të sillet sikur nuk ka rëndësi.

Tashmë, në kohët që po jetojmë, iluzioni nuk imponohet por ndërtohet bashkërisht. Në versionin klasik të metaforës së “mbretit lakuriq”, iluzioni mbahet nga frika. Sot mbahet nga një marrëveshje e heshtur:

• Mos e çmontoni narrativën që ju jep përkatësi!

• Mos prekni figurat që mbajnë ekuilibrin emocional!

• Mos kërkoni koherencë aty ku ka interes!

Sepse e vërteta nuk është vetëm çliruese. Është edhe destabilizuese. Dhe sot, shumëkush preferon më shumë një iluzion funksional sesa një realitet që kërkon përgjegjësi. E vërteta është relativizuar deri në pavlerësi. Një nga iluzionet më të mëdha të kohës sonë është ideja se jetojmë në një epokë transparence. Në realitet, jetojmë në një epokë ku çdo fakt ka kundërfaktin e vet, çdo e vërtetë trajtohet si opinion, dhe çdo ekspozim neutralizohet nga zhurma.

Nuk kemi censurë klasike. Kemi një mbingopje që e bën të vërtetën të padallueshme nga zhurma. Në këtë kaos, lakuriqësia bëhet veç një detaj. Cinizmi është bërë mbrojtje kolektive. Ndoshta ndryshimi më i thellë që ka ndodhur në shoqërinë në cilën jetojmë nuk është politik por është kryesisht psikologjik.

Njerëzit nuk janë më vetëm të frikësuar.Janë të lodhur. Kanë parë mjaftueshëm për të mos besuar më në ndryshim, por jo aq sa për të shkëputur veten nga loja. Kjo prodhon një gjendje të rrezikshme: e shohin problemin, e komentojnë problemin, por nuk e prekin dot strukturën që e mban atë. Sepse ndërkohë janë bërë pjesë e saj.

Problemi nuk është më “mbreti lakuriq”. Është tundimi për të mos parë. Sepse të shohësh do të thotë të heqësh dorë nga justifikimet, të rrezikosh përkatësinë dhe të pranosh se ke toleruar më shumë sesa duhet. Dhe kjo është shumë më e vështirë sesa të pranosh një gënjeshtër të përbashkët. Pyetja reale nuk është më se kush do ta thotë të vërtetën?! Pyetja tani është se kush është gati të jetojë me pasojat e saj?! Sepse të thuash “mbreti është lakuriq” sot nuk mjafton. Kjo tashmë është thënë.

Tashmë sfida është një tjetër: të mos sillesh më sikur ai është i veshur.

Ps. ky postim është një reflektim që prej kohësh endet në mendjen time nga biseda me miq e familjarë, pacientë e kolegë, shoferë taksie dhe shitës fruta-perimesh. Të gjithë e shohin dhe e kuptojnë “lakuriqsinë” e mbretërve tonë por në shumicë e trajtojnë si një modë të re, një mënyre të re veshjeje duke pranuar: eeeeee kështu është koha!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *