“Parku i minjëve”

“Parku i minjëve”

Në fund të viteve ’70, psikologu kanadez Bruce K. Alexander ngriti një pyetje të thjeshtë por tronditëse:

A është varësia pasojë e drogës apo e “kafazit” ku jetojmë?

Në eksperimentet klasike mbi varësinë, minjtë të mbyllur në kafaze të boshatisura, pa kontakt me të tjerët kishin dy zgjedhje për të shuar etjen: ujë të pastër dhe ujë me morfinë. Gjithmonë ata pinin obsesivisht atë me morfinë, derisa vdisnin. Kjo u interpretua si provë e fuqisë së pakontrollueshme të drogës. Por Alexander dyshoi se problemi nuk qëndronte te substanca por te izolimi.

Kështu ai krijoi Rat Park: një hapësirë të gjerë, me rrota për lojë, objekte me ngjyra, me minjë të tjerë, me partnerë për çiftim, me ushqim e liri lëvizjeje. Në këtë mjedis, minjtë kishin po të njëjtat dy mundësi për të shuar etjen por shumica absolute e tyre nuk e prekën më morfinën. Minjtë e lumtur, që jetonin në shoqëri, nuk kishin nevojë për drogë.

Pyetja e Alexander-it fitoi një dimension të ri: Ndoshta problemi nuk është te kimia, por te vetmia.

Nga minjtë tek njeriu

Në thelbin e këtij eksperimenti fshihet një e vërtetë e dhimbshme për njeriun modern: varësia është më shumë simptomë e shkëputjes se sa e dobësisë. Njeriu që nuk është i lidhur me askënd, që nuk ndihet i parë apo i vlefshëm, kërkon një lidhje zëvendësuese. Një objekt, një zakon, një ekran, një substancë. Në mungesë të tjetrit, substanca bëhet tjetri. Dhe për një çast, ajo i jep trupit ndjesinë e bashkimit që shpirti nuk e gjen më.

Në këtë kuptim, çdo formë varësie, nga droga te rrjetet sociale, nga puna te marrëdhëniet toksike, është një përpjekje për të rikrijuar ndjesinë e përkatësisë. Por ajo që ndodh, është se objekti që zëvendëson lidhjen bëhet vetë burg. Varësia është kafazi i ri i njeriut të lirë.

Shoqëria si laborator i varësisë

Nëse e shohim përtej individit, “Rat Park” është një metaforë e shoqërisë moderne. Ne jetojmë në një superkafaz të ndërtuar mbi konkurrencën, performancën dhe iluzionin e vetë-mjaftueshmërisë.

Kemi gjithçka përveç lidhjes.

Në këtë mjedis, varësitë janë simptomat kolektive të një shoqërie që ka harruar të bashkëjetojë. Nuk janë vetëm drogat, por dopamina e vëmendjes, adrenalina e pushtetit, serotonina e miratimit publik që na mbajnë pezull midis euforisë dhe boshllëkut.

Nëse Alexander do ta përsëriste eksperimentin sot, ndoshta nuk do të përdorte ujë me morfinë, por një smartphone në një “Human Park”. Rezultati nuk do të ishte shumë ndryshe.

Shërimi përmes lidhjes

Në fund, mesazhi i “Rat Park” nuk është thjesht shkencor, por thellësisht njerëzor: Ne nuk shërohemi duke hequr substancën, por duke rikthyer lidhjen.

Lidhjen me një tjetër njeri, me natyrën, me veten, me kuptimin. Terapia, dashuria, komuniteti, përkatësia janë forma të ndryshme të së njëjtës nevojë themelore: të mos jemi vetëm në dhimbjen tonë.

Sepse nëse kafazi është ai që na sëmur, atëherë liria nuk është mungesa e drogës, por prania e tjetrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *