Bullizmi në politikë – gjuha që manipulon zgjedhjet dhe deformon shoqërinë

Bullizmi në politikë – gjuha që manipulon zgjedhjet dhe deformon shoqërinë

Fushatat zgjedhore nuk janë më beteja idesh—janë shëndrruar në gara për të folur më fort, për të ulur më poshtë, për të goditur më ashpër. Retorika e bullizmit nuk është një aksident i politikës shqiptare, por një strategji e mirëmenduar: ajo nuk synon vetëm kundërshtarët, por edhe votuesit. Kur debati politik mbulohet nga fyerjet, njerëzit lodhen, shpërqendrohen, humbin besimin se diçka mund të ndryshojë. Dhe kur njerëzit dorëzohen, ata që janë në pushtet fitojnë.

Nga një këndvështrim i sjelljes njerëzore, ky fenomen është i parashikueshëm. Kur një individ përballet me stres të vazhdueshëm, reagimet kryesore janë “fight” or “flight” pra lufta ose arratia. Në politikë, “lufta” do të thoshte angazhim aktiv, votë ndëshkuese, kërkesë për llogaridhënie. Por bullizmi krijon një efekt tjetër: ai bën që njerëzit të zgjedhin “arratinë”—tërheqjen nga politika, indiferencën, cinizmin. Kjo është një formë e manipulimi psikologjik: bëj njerëzit të ndihen të pafuqishëm dhe ata nuk do të sfidojnë kurrë status quo-në.

Bullizmi në politikë funksionon si një epidemi: ai përsëritet aq shpesh, aq ngulmueshëm, sa bëhet ngjitës. Fillimisht na trondit, pastaj na lodh, dhe në fund na duket normal. Deri kur? Deri kur dikush zgjedh të mos e pranojë më si normë.

Ndaj zgjedhjet e këtij viti nuk janë vetëm për emra dhe parti, por për të vendosur nëse do të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri të helmuar nga frika dhe fyerjet, apo në një shoqëri ku argumenti mposht dhunën verbale.

Si ndryshon kjo? Duke e kuptuar lojën. Duke mos u tërhequr. Duke e refuzuar këtë gjuhë, jo vetëm në zgjedhje, por çdo ditë.

Nëse bullizmi ka një efekt domino, edhe dinjiteti dhe argumenti e kanë. Dikush duhet ta shtyjë gurin e parë.

Korrupsioni nuk është thjesht një shkelje ligjore

Korrupsioni nuk është thjesht një shkelje ligjore

Korrupsioni nuk është thjesht një shkelje ligjore; është një kulturë, një sistem dhe një mekanizëm i fuqishëm që shpesh përcakton mënyrën si funksionon një shtet. Nga ryshfeti i vogël te aferat milionëshe, ai gërryen besimin, minon ekonominë dhe pengon zhvillimin. Por ku qëndron Shqipëria përballë këtij fenomeni?

Pavarësisht progresit në renditjet ndërkombëtare, korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2024 (CPI) e vlerësoi Shqipërinë me 42 pikë, pesë më shumë se vitin e kaluar – rritja më e madhe në rajon. Ky përmirësim lidhet kryesisht me ndjekjet penale të zyrtarëve të lartë nga SPAK.

Megjithatë, perceptimi i qytetarëve mbetet i zymtë. Sipas Barometrit Ballkanik 2023, 38% e shqiptarëve e konsiderojnë korrupsionin kërcënimin kryesor ekonomik, ndërsa 80% e shohin ryshfetin si një mekanizëm të pashmangshëm.

Drejtësia dhe sektori publik janë ndër fushat më të prekura. SPAK hetoi 447 raste korrupsioni, por vetëm 2.9% përfshinin zyrtarë të lartë. Ndërkohë, shëndetësia, prokurimet publike dhe administrata mbeten vatra abuzimesh, me humbje ekonomike prej 72.3 miliardë lekësh vetëm në 2023.

Shqipëria mund të ketë kaluar disa fqinj në renditjet ndërkombëtare, por perceptimi publik mbetet negativ. Përmirësimet në shifra nuk janë ende të dukshme në jetën e përditshme. A po luftohet realisht korrupsioni apo thjesht po menaxhohet më mirë imazhi i tij?

Shqipëria meriton më shumë! 🇦🇱

#KoalicioniEuroatlantik

#DemokratëtEuroatlantikë

#ShqipëriaMeritonMëShumë

Hakmarrja si Energji Politike: Një Retorikë me Pasoja

Hakmarrja si Energji Politike: Një Retorikë me Pasoja

Hakmarrja si Energji Politike: Një Retorikë me Pasoja

Po riaktivizohet dukshëm një narrativë e fuqishme në diskursin politik shqiptar, dhe jo vetëm: hakmarrja. Në një video – komunikim të fundit, kryeministri shqiptar deklaroi:

“Unë energjinë më të madhe e gjej te hakmarrja. Dua të marr hak. Na kanë poshtëruar për një kohë shumë të gjatë… Të marrim hak duke u ulur atje në tryezën e BE-së.”

Kjo nuk është hera e parë që ai e përdor këtë retorikë. Që nga fushatat e mëparshme elektorale, Rama ka prezantuar veten si liderin e një populli të padrejtësuar, një kryqtar modern që kërkon shpagim për “poshtërimet historike.”

Por çfarë ndodh kur hakmarrja shndërrohet në një narrativë politike, madje e legjitimuar nga pushteti? A është kjo një mënyrë për të mobilizuar mbështetësit, apo një strategji që fsheh dështimet? Dhe më e rëndësishmja, si ndikon ky diskurs në mënyrën se si shqiptarët e shohin veten dhe të ardhmen e tyre?

Hakmarrja si Strategji Politike

Rama e ka përdorur rëndom hakmarrjen si një mjet justifikues dhe mobilizues. Në vitin 2017, ai u kërkoi votuesve t’i jepnin një mandat të pastër për të realizuar një hakmarrje të drejtë ndaj korrupsionit dhe “padrejtësive të sistemit.” Në 2025, po e shtrin këtë narrativë në nivel kombëtar dhe historik: integrimi në BE nuk është më një reformë teknike, por një mision historik për të rivendosur nderin e Shqipërisë.

Kur një lider politik e pozicionon veten si ekzekutuesin e një “detyre historike,” ai synon të krijojë një lidhje emocionale me elektoratin. Në këtë mënyrë, mbështetja për të nuk është më një zgjedhje racionale mbi performancën e qeverisjes, por një besnikëri e ngjashme me atë që njerëzit ndiejnë ndaj një epoke historike apo një ideali të madh.

Por a është hakmarrja një forcë e mirë për qeverisjen? Historia tregon se kur një lider e përdor këtë emocion për të justifikuar politika, ato bëhen më pak racionale dhe më shumë të bazuara në emocion. Një qeverisje e mirë kërkon pragmatizëm dhe racionale të bazuara në pritshmëri racionale dhe jo vetëm ndjenja.

Retorika e Mobilizimit: Zemërimi si Karburant Politik

Hakmarrja ka një efekt të fuqishëm psikologjik. Kur njerëzit ndihen të padrejtësuar, ata kërkojnë një lider që jo vetëm i përfaqëson, por edhe lufton për ta. Retorika e Ramës përfaqëson këtë model klasik: ai pozicionohet si mbrojtësi i të poshtëruarve, njeriu që do të shlyejë borxhet historike të kombit.

Ky është një mjet i fuqishëm mobilizues, veçanërisht në një shoqëri ku ndjenja e padrejtësisë është e përhapur. Por ka edhe një efekt anësor të rrezikshëm: polarizimin. Kur politika strukturohet mbi ndarjen “Ne kundër Atyre”, demokracia bëhet më e brishtë. Kur një lider përdor këtë narrativë, ai përfiton në afat të shkurtër, por krijon një kulturë politike të bazuar në armiqësi të vazhdueshme.

Aleksandar Vucic dhe Vladimir Putin kanë ndërtuar narrativa të ngjashme. Putin e ka justifikuar politikën e tij agresive si një kundërpërgjigje ndaj “poshtërimeve” që Rusia ka përjetuar nga Perëndimi.

Kur hakmarrja kthehet në një justifikim politik, ajo mund të përdoret për të arsyetuar masa më radikale, të cilat shkojnë përtej retorikës dhe prekin liritë dhe institucionet. Nëse misioni i një lideri është “përfundimi i një lufte historike,” atëherë a mund të justifikohet çdo veprim në emër të kësaj beteje?

Kur Hakmarrja Kthehet në Justifikim për Pushtet

Një tjetër efekt i kësaj qasjeje është se ajo i jep liderit të një vendi një narrativë të përjetshme për të qëndruar në pushtet. Nëse ai është i vetmi që mund të çojë përpara këtë mision historik, atëherë largimi i tij do të ishte një tradhti ndaj kauzës.

Rama e ka artikuluar këtë ide më shumë se një herë. Ai ka thënë se nuk largohet nga politika sepse “ka një luftë për të mbaruar me historinë.” Kjo qasje e shndërron liderin në një figurë të pazëvendësueshme, një ide e rrezikshme për demokracinë.

Miopia e hakmarrjes si zgjidhje

Politika e bazuar në hakmarrje është e fuqishme, por afatshkurtër. Liderët e suksesshëm nuk e udhëheqin një vend duke e kthyer të shkuarën në një fushëbetejë të pafundme, por duke ofruar vizion dhe zgjidhje për të ardhmen.

Një qeveri që kërkon të përmirësojë të ardhmen e qytetarëve të saj duhet të flasë më pak për hakmarrje dhe më shumë për inovacion, zhvillim dhe mundësi. Zgjedhjet nuk duhet të shiten si beteja morale mes të mirëve dhe të këqijve, por si një mundësi për të zgjedhur politikat më të mira për mirëqenien e vendit.

Në fund, historia tregon se kombet që përparojnë nuk janë ato që mbesin peng të hakmarrjes, por ato që arrijnë të kthejnë zemërimin në ndërtim dhe progres. Nëse Shqipëria dëshiron të shkojë përpara, ajo ka nevojë për liderë që e kanalizojnë energjinë politike jo për të larë hesapet me të shkuarën, por për të ndërtuar një të ardhme më të mirë

Ndalimi i TikTok-ut Nuk na Shpëton

Ndalimi i TikTok-ut Nuk na Shpëton

Ndalimi i TikTok-ut Nuk na Shpëton. As bojkoti i Shkollës per TikTok-un.

Thonë se TikTok-u është i rrezikshëm. Se helmon mendjet e të rinjve, përhap dezinformim dhe kërcënon sigurinë kombëtare. Se mënyra e vetme për të mbrojtur shoqërinë—sidomos fëmijët—është ta mbyllim atë.

Dhe tani, si përgjigje, studentët thirren të bojkotojnë shkollën në shenjë proteste.

dyja janë lëvizje simbolike. Të dyja shmangin problemin e vërtetë.

Ndalimi i një aplikacioni nuk e bën internetin më të sigurt. Dhe braktisja e shkollës nuk i bën të rinjtë më të lirë.

Kjo nuk është thjesht për TikTok-un. Kjo është për të drejtën për të pasur akses në informacion, për të folur, për të menduar lirisht. Sot është TikTok-u. Nesër është një tjetër platformë, një tjetër burim informacioni, një tjetër zë që dikush e quan “të rrezikshëm.”

Nëse shqetësohemi për shëndetin mendor, le të flasim për arsyet pse të rinjtë bëhen të varur nga rrjetet sociale. Le të flasim për mungesën e edukimit digjital në shkolla, mungesën e ndërgjegjësimit tek prindërit, krizën e shëndetit mendor që vazhdojmë ta injorojmë.

Nëse kemi frikë nga dezinformimi, le të pyesim veten pse njerëzit i besojnë më shumë rrjeteve sociale sesa institucioneve tradicionale. Dhe pse nuk investojmë në edukimin mediatik, në vend që të zgjedhim censurën?

Nëse siguria kombëtare është shqetësimi, atëherë le të kërkojmë transparencë nga të gjitha kompanitë teknologjike—jo vetëm nga ato që është politikisht e leverdishme të ndalohen.

Dhe nëse duam që të rinjtë të mbrojnë të drejtat e tyre, le të mos i kthejmë në dordolecë të lojërave politike. Në vend që të braktisin klasat, ata duhet të kërkojnë një sistem arsimor që i pajis me mendim kritik, edukim mediatik dhe aftësi për të përdorur teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme.

Problemi i vërtetë nuk është një aplikacion. Problemi i vërtetë është një shoqëri që beson se ndalimi i gjërave mund të zgjidhë problemet e saj.

Unë qëndroj për arsim mbi ndalime. Për politika më të forta të shëndetit mendor, jo për lëvizje simbolike. Për fuqizimin e të rinjve me aftësitë për të lundruar në botën digjitale, jo për t’i mbrojtur nga ajo me iluzione kontrolli.

Sepse liria nuk është thjesht e drejta për të folur—është e drejta për të pasur akses në informacion, për të menduar në mënyrë kritike dhe për të zgjedhur.

Mos e shisni kaq lehtë.