Në ekonomi, ka një koncept të njohur si mospërputhja e informacionit—kur njëra palë (zakonisht pushteti) di më shumë se tjetra (qytetarët). Dhe kur qytetarët nuk kërkojnë informacion, nuk e analizojnë atë, apo e marrin të mirëqenë status quo-në, ekuilibri anon gjithmonë nga ata që dinë të përdorin këtë avantazh.
Kjo është arsyeja pse ankohemi për korrupsionin, por rrallë kërkojmë transparencë të vërtetë.
Kjo është arsyeja pse ëndërrojmë një të ardhme më të mirë, por shpesh pranojmë premtime boshe dhe zgjidhje afatshkurtra.
Kjo është arsyeja pse presim ndryshim, por nuk ushtrojmë presion mbi ata që e kanë fuqinë ta sjellin atë.
Por si mund ta kthejmë këtë dinamikë në favorin tonë? Duke u bërë votues më të informuar, më kërkues dhe më të angazhuar. Ja disa hapa konkretë:
Mos kërko favore, kërko politika. Politikanët janë mjeshtër të përgjigjeve të përgjithshme. Mos u mjafto me “Do ta rregullojmë këtë problem.” Kërko qartësi: Si do ta rrisni transparencën në tendera? Cilat janë kostot e reformës suaj për arsimin? Si do ta matni ndikimin e politikave tuaja?
Ripërsërit kërkesat. Ekziston një fenomen i quajtur efekti i ekspozimit të përsëritur—sa më shpesh të dëgjojmë një ide, aq më shumë e marrim seriozisht. Mos e lër me një herë. Pyet sërish, shkruaj sërish, kërko sërish.
Mos u kënaq me përgjigje të mjegullta. Nëse një kandidat shmang një përgjigje konkrete, insistoni: Si? Kur? Sa do të kushtojë? Cilat janë hapat e parë? Nëse nuk kanë përgjigje tani, nuk do kenë as më vonë.
Kupto vlerën e votës tënde. Në financa, kjo quhet kosto alternative—çdo zgjedhje ka një kosto të fshehur. Nëse e shesim votën për një favor të vogël, humbasim shansin për politika më të mira që përmirësojnë të ardhmen tonë në afatgjatë.
Bëhu votues aktiv, jo pasiv. Vota është vetëm një pikënisje. Dërgo pyetje publike, merr pjesë në forume, angazhohu në debat. Politikanët janë më të përgjegjshëm kur ndihen të monitoruar nga votues të informuar.
Nëse kërkojmë vetëm favore, do të marrim vetëm patronazh. Por nëse kërkojmë vizion dhe llogari, mund të marrim një qeverisje më të mirë.
Unë jam këtu për të dëgjuar dhe dua t’ju dëgjoj të kërkoni më shumë.