“Është për të mirën tënde.” Kjo ishte fjalia që dëgjonim shpesh kur ishim fëmijë. Na e thoshin baballarët tanë kur donin të na udhëhiqnin, ndonjëherë me butësi, ndonjëherë me ashpërsi. Kur na thoshin se nuk ishim “mjaftueshëm të mirë”, se mund të bëheshim më të mirë, por vetëm nëse ndiqnim atë që të tjerët dëshironin.
Sot, në Ditën e Baballarëve, nuk mund të mos mendoj për dallimin midis një babai të vërtetë dhe një “Ati të Kombit” që përdor autoritetin jo për të mbështetur, por për të poshtëruar. Kryeministri po i bërtet një fëmije për një rezultat që nuk i plotëson pritshmëritë e tij. Dhe më e rënda? Po e bën përpara një turme që qesh. Një e qeshur e sforcuar, për mos t’i prishur balancat me kryeministrin. Një refleks i frikës dhe i nënshtrimit ndaj pushtetit. Askush nuk pyet: “Si ndihet ky fëmijë?”
Disa do thonë: “E bëri mirë, ky është realiteti.” Të tjerë mund të thonë: “Edhe ne kështu na rritën, dhe ja ku jemi.” Por le ta themi qartë: askush nuk është bërë i shkëlqyer nga turpi.
Poshtërimi nuk të jep fuqi, të merr. Ai mëson fëmijën se vlera e tij varet nga suksesi i jashtëm dhe jo nga rritja e tij e brendshme, se dashuria dhe respekti nuk janë të drejta themelore, por shpërblime që duhen fituar. Se gabimet janë dënime, jo mësime.
Por le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë:
A do ta pranonte ai që dikush t’i bërtiste fëmijës së tij në këtë mënyrë?
A do të qeshte nëse turma do të duartrokiste ndërsa fëmija i tij ndihej i poshtëruar?
Shumë prej atyre që justifikojnë sjellje të tilla nuk do ta pranonin kurrë që një mësues, një trajner apo një epror t’u fliste fëmijëve të tyre me përçmim. Sepse kur bëhet fjalë për të afërmit tanë, e dimë instinktivisht sa i dëmshmëm është poshtërimi.
Atëherë, pse duhet të jetë ndryshe për një fëmijë tjetër? Apo për një qytetar të thjeshtë?
Une i shoh çdo ditë pasojat e ketyre formave të shtremberuara të prinderitmit: të rritur që ende mbajnë mbi supe peshën e qortimeve të fëmijërisë, të ngarkuar me pasigurinë se nuk janë “mjaftueshëm të mirë.” Por fëmijët nuk rriten të fortë nga frika. Ata rriten kur ndihen të mbështetur, kur u lejohet të bëjnë gabime dhe të mësojnë prej tyre, kur kanë dikë që beson tek ta.
Në Ditën e Baballarëve, le të kujtojmë se çfarë do të thotë të jesh vërtet baba. Një baba i mirë nuk e poshtëron fëmijën e tij për ta bërë “më të fortë”. Një lider i mirë nuk e ushqen turmën me poshtërimin e një më të dobëti.
Shqipëria ka nevojë për udhëheqës që frymëzojnë dhe mbështesin, jo për një sistem që ushqen frikë dhe nënvlerësim.