Cila është gënjeshtra juaj e preferuar nga politika shqiptare?
Një përgjigje doli mbi të gjitha:
“Në politikë përgjegjësia është personale. 5 bien, mijëra ngrihen.”
Nuk më habiti. E kemi dëgjuar shpesh, e kemi parë të përdoret si justifikim elegant, si mburojë morale.
Por sa më shumë e dëgjon, aq më e zbrazët të duket.
Kur bien 5, bëhet zhurmë. Ka lajme, konferenca, arrestime me drita të ndezura.
Po ata që bien, kanë abuzuar me miliona, kanë shkelur mbi njerëz që punuan ndershëm,
kanë bërë dëm që nuk ndreqet me një konferencë shtypi.
Dhe ndërkohë, mijëra të tjerë janë gati të vazhdojnë të njëjtin model.
Me fytyra të tjera, por me të njëjtën logjikë: të heshtin, të përshtaten, të kalojnë pa u lagur.
Prandaj, nuk kemi më luksin të kënaqemi me rënie.
Duhet të fillojmë të kuptojmë modelin që i ngre ata njerëz në pozita, i mbron, ua mbyll gojën
dhe më pas i flijon për të mbajtur sistemin në këmbë.
Nuk dua të jem pjesë e këtij riciklimi.
Nuk dua të ngrihem mbi dështimin e dikujt tjetër.
Dua që të bjerë modeli që i mban të gjallë këto dështime dhe ua kalon faturën qytetarëve.
Përgjegjësia, për mua, nuk është slogan.
Është barrë. Dhe nëse nuk e mbaj unë i pari, nuk kam të drejtë ta kërkoj nga të tjerët.
Nëse edhe ju jeni lodhur me riciklimin, është koha të kërkojmë më shumë —
dhe të fillojmë nga vetja.
Neli